Hapja e shkollës së parë në Cakran i përket periudhës më të nxehtë të përpjekjeve të patriotëve tanë, fill mbas shpalljes së kushtetutës së xhonturqëve më 23-24 Korrik 1908. Duke shfrytëzuar liritë e përkohëshme konstitucionale inteligjenca përparimtare e kohës, ndërmori një sërë angazhimesh të rëndësishme në fushën organizative dhe kulturore të shoqërisë. Gjer në fund të vitit 1908 në Shqipëri dhe qëndra të tjera të perandorisë osmane ku kishte emigrant shqiptarë, u ngritën 40 klube e shoqëri të ndryshme. Një ndër detyrat kryesore të tyre ishte hapja e shkollave shqipe, sigurimi i bazës financiare, shtypja e librave, shpërndarja e tyre dhe sidomos sigurimi i mësuesëve mësimdhënia e të cilëve u konsiderua në këtë kohë një kontribut i rëndësishëm atdhetar.
”Kemi 30 vjet që po përpiqemi për shkollat shqipe, shkruante gazeta “Lirija” më 25 Tetor 1908, në kryeartikullin e saj. Qeveritë e vjetra, sikundër që me çdo punë s’kish mendje, ashtu edhe në këto punë të shkollave tona ka patur një politikë të pamentë. Kombet e tjera ishin të lirë të këndojnë e të mësojnë gjuhën e tyre, që të kenë me qindra shkolla, por shqiptarët se kishin këtë të drejtë”. Dhe më tej po kjo gazetë vazhdon: “Shqipëria ishte mbushur me shkolla të huaja dhe djemtë që delshin andej bëheshin si të huaj dhe mirnin ca mendime të dëmshme për mëmëdheun e tyre. Nga ky shkak, mot për mot, me mijra djem të mëmëdheut zinin ta shehin veten e tyre si të huaj por edhe si armiq të vendit”.
Në këtë periudhë problemi i shkollave të huaja ishte bërë një pikë abuzive në lodrat politike të xhonturqve. Në Shqipëri numëroheshin rreth 1000 shkolla të para (iptidaije) që trajtoheshin nga qeveria dhe 300-400 shkolla të tjera të kthyera në vakëfe të financuara nga populli. Politika xhonturke pretendonte ta fuste mësimin e gjuhës shqipe pikërisht në këto shkolla me programe të veçanta dhe orar të reduktuar. Kurse patriotët kërkonin që në këto shkolla jo vetëm të mësohet shqip, por edhe librat të jen shqip, sepse, theksonte gazeta e sipërpërmendur, “dashuria e gjuhës kishte hyrë në koliv të bujkut dhe në konak të beut dhe kish zënë rrënjë të forta.”. Jo më kot pena të ndryshme të kësaj periudhe i mbushnin shkrimet e tyre me sentenca filozofike për arësimin dhe nuanca rrezatuese nga iluminizmi francez.”Viktor Hygoi thot, shkruante “Lirija” e Selanikut më 2 Nëndor, 1908: Kush hap një shkollë, mbyll një burg. Kurse ne themi: Kush do mëmëdhenë dhe kombin, më parë të dojë gjuhën.”
Një nga problemet më të vështira për shkollat mbetej gjithnjë ana financiare. Ndaj dhe patriotët i bënin thirrje gjithë popullit dhe veçanërisht gjithë elementëve përparimtar të kohës të kontribuonin sado pak me të holla për ta përballuar me sukses koston financiare të tyre. Shumë element nga shtresat e pasura, tregëtar, pronar tokash, bejler e agallarë, dhan një kontribut të çmuar në këtë drejtim. Në rrethin tonë ishin pikërisht këta elementë që mbajtën peshën kryesore fillestare të hapjes së shkollave. Në Libofshë shkolla e parë shqipe u hap në shtëpinë e Nedin bej Leskovikut, kurse në Cakran, ndihmën kryesore e ka dhënë Kahreman bej Cakrani dhe më vonë i biri, Bektashi.
Ja si shkruan gazeta “Lirija” e Selanikut dt. 4 Prill 1909, në rubrikën e saj postare: “CAKRAN.
Një letrë nga korespndenti ynë (Dodona, shënimi ynë) nga Cakrani (Fier) na lajmon se me perpjekje te Zotit Kahreman be Cakrani u-çel ne Trek një skollë sqip ne te cilet u-quajt mesonjes Zoti Viska nga Korça. Skola sapo u hap dhe ka 52 nxenes, pa numuruare qe dhe mesonjesit e skolavet te psatravet po vin’ e po nxene sqip. Eshte sume spres’ e madhe se skolla ne vafte kestu do te perparoje fort se memedhetaret po rrefejne ne dasuri te madhe per mesim te gjuhese”.
Në vitin mësimor 1910-1911 në Cakran vjen mësues Thanas Floqi. Kthyer disa vite më parë nga emigracioni në SHBA dhe angazhuar totalisht në lëvizjen patriotike të kohës, anëtar i klubit “Labëria” dhe luftëtar aktiv i çetave komite, Floqi ishte bërë një nga personazhet më të spikatur dhe më me emër në krahinën e Vlorës. Në kujtimet e tij ai shënon se mësimet në këtë shkollë i fillon me kërkesën e drejtpërdrejt të Bektash bej Cakranit. Kahremani, i ati vdiq më 1911 dhe kontributi financiar dhe mbështetja që i ka dhënë kësaj shkolle Bektashi, ka qenë shumë e rëndësishme. Gazetat e kohës citojnë se “kjo shkollë po mbahet me ndihmën e pakursyer të Bektash bej Cakranit”.Është pikërisht kjo periudhë kur Bektashi shfaqet fuqishëm në skenën politike, të kohës si udhëheqës i çetave të luftëtarëve patriot të cilët përgatitën kushtet për ngjarjet e ardhshme të vitit 1912 .
Dhe më tej, në shënimet e tij, Thanas Floqi kujton se e priti me kënaqësi kërkesën e beut dhe e dinte gjithashtu se aty kishte dhën mësim para tij “Viskë Babatasi nga Korça”.Ndërkohë, për periudhën kur ishte Viska në Cakran,Thanas Floqi ishte drejtor shkolle në Korçë. Gazeta “Lirija” e Selanikut në vitin 1909 shënon dy momente për faktin në fjalë. Së pari më 24 Tetor 1909 Thanas Floqi bënë thirrje përmes shtypit se muzika e vendit duhej të dominonte ndaj muzikës së huaj. Po këtu ai thotë se ka muzikuar 3 këngë: “O trima luftëtarë”, “Marrshi i ri i Sulltan Mehmetit V- të” dhe këngën “Shqypnia” të Vaso Pashës. Në shkrim kërkohet ndihmë financiare për t’i shtypur dhe përhapur ato. Ndërsa më 26 Dhjetor 1909 del një tjetër komunikim, tashmë për notat e vëna në shitje dhe emri i Thanasit, shoqërohet me shënimin e detyrës përkatëse....
No comments:
Post a Comment